Agjenti për sigurimin e jetës, hallka lidhëse drejt sigurimit tuaj.
Agjent në sigurime jete
Publikuar më 23.04.2021
Duhet ta pranojmë, ne e kemi më të thjeshtë të sigurojmë pronën, makinën, motorin, profesionin, madje edhe këmbën e majtë të Leo Messi-t apo kordat zanore të Madonës dhe J Lo-së, por jemi shumë të stepur kur mendojmë të sigurojmë jetën tonë, gjënë më të vlefshme.
Tregu i sigurimeve është një treg i standardizuar në dy degëzime të mëdha sa i perket interesit të sigurueshëm. I pari, ose tregu dominant, është ai i sigurimeve të jo-jetës dhe tregu më i përqendruar është ai i sigurimeve të jetës. Sigurimi i shëndetit është një degëzim, që gjen hapësira si tek sigurimet e jo-jetës dhe tek ato të jetës, por sigurisht që kombinimet e sigurimeve të jetës dhe shëndetit janë ato që konsumatorët gjejnë më të përshtatshme në këtë segment.
Ky parashtrim shërben si hyrje për mua, për të shpjeguar në vijim se çfarë bën një agjent për sigurimin e jetës. Këtë sqarim do përpiqem ta jap nëpërmjet disa pyetjeve që çdokujt, sado i informuar të jetë, mund t’i lindin në momentin që dëgjojnë për një agjent në sigurime jete dhe veprimtarinë e tij.
Natyrshëm pyetja e parë që lind është se çfarë bën një agjent në sigurime jete, përse është ai i nevojshëm në këtë treg dhe për çfarë mund ta “shfrytezojnë” konsumatorët e këtij tregu agjentin.
Një agjent në sigurime jete është një profesionist i kontraktuar nga një kompani sigurimi dhe, për llogari të kompanisë, ai ka për detyrë të shesë te individë, biznese, kompani etj. llojet e ndryshme të produkteve të sigurimit të jetës dhe kombinimeve të tyre tek të interesuarit për këto produkte.
Pasi kuptojmë në parim se çfarë bën agjenti në sigurime jete, lind pyetja: – Si vepron ai konkretisht për të përmbushur kërkesat e klientëve të tij potencialë?
Le ta shohim këtë shkurtimisht të sqaruar në disa pika:
- Agjenti fillimisht duhet të njohë disa të dhëna nga ju, si: mosha, statusi martesor, të ardhurat tuaja, aktivitetet që kryeni etj..
- Kërkon të dijë rreth situatës suaj financiare:
Për shembull, agjenti kërkon të dijë zërat më të lartë të shpenzimeve tuaja, siç mund të jenë kreditë apo huatë, kërkon informacione nëse keni kursime, fonde të ndryshme investimi apo asete të ndryshme financiare. - Bën një përmbledhje të personalizuar të produkteve që mund t’ju përshtaten:
Agjenti shkruan një përmbledhje të të dhënave dhe informacioneve të mbledhura, së bashku me sugjerimet mbi produktet e sigurimit të jetës, që mund të jenë të përshtatshme për ju. Kjo përmbledhje ju shërben për të kuptuar cili produkt ju pershtatet më tepër dhe ju ndihmon për të marrë një vendim. - Ndjek sigurimin tuaj në vazhdimësi:
Pasi keni përzgjedhur sigurimin tuaj të jetës dhe po e “konsumoni” atë, agjenti sigurohet që, gjatë gjithë periudhës së sigurimit, të jetë në kontakt me ju për të vlerësuar ecurinë e sigurimit tuaj.
Pasi pamë shkurtimisht se çfarë bën një agjent në sigurime jete, më poshtë po ju pajis me disa karakteristika që duhet të përmbushë një agjent në sigurime jete në mënyrë që të jetë i aftë të ofrojë më të mirën për ju:
- Agjenti e kupton situatën tuaj dhe statusin financiar në të cilin gjendeni.
Ai e kupton saktë atë çka ju kërkoni dhe pse kërkoni të siguroheni. Vetëm kështu ai është i aftë t’ju japë opsione optimale zgjedhjeje. - Agjenti kupton më së miri çfarë nuk ju duhet.
Nuk ka asnjë përpjekje nga agjenti për t’ju shitur diçka që nuk ju duhet ose që nuk është konform me kërkesat tuaja. Kjo është shenjë e një agjenti që nuk përpiqet të përfitojë nga ju. - Agjenti u përgjigjet pyetjeve tuaja (madje edhe atyre më të hollësishmeve ose të parëndësishme në dukje).
Sigurimi i jetës është mjaftueshëm i komplikuar dhe një agjent që u bën bisht pyetjeve sqaruese apo informuese vetëm sa e komplikon atë më tepër (në mos, në rastin më të keq, tenton të fshehë informacione nga ju). Mos e zgjidhni një agjent të tillë, që nuk ju jep shpjegimet e nevojshme për çdo pyetje që ju keni. - Agjenti përgatit ofertë me informacione të detajuara dhe ju jep kohë për të vendosur.
Nëse ai përpiqet t’ju nxisë të vendosni menjeherë dhe pa shqyrtuar paqartësitë tuaja, mos hezitoni të refuzoni. - Agjenti është i pajisur me një licencë për shitjen e sigurimit për të cilin ju interesoheni. Ky informacion duhet të bëhet i ditur nga ai.
- Agjenti është i kualifikuar.
Kualifikimi i agjentit duhet të jetë parësor për ju, në stadin e përzgjedhjes së një agjenti krahasuar me një tjetër.
Përfundime:
Në këtë artikull të shkurtër, ju parashtrova përmbledhtazi informacionet mbi agjentin në sigurime jete dhe si duhet të jenë etapat e përzgjedhjes së një produkti sigurimi. Pa dyshim që sigurimi i jetës është një domosdoshmëri për të larguar pasiguritë dhe për të krijuar një të ardhme të sigurt, dhe konsultimi me një agjent të licencuar është një lehtesim shumë i madh në gjithë procesin vendimmarrës. Ndaj duhet të jemi të gatshëm që sigurimin tonë të jetës ta kalojmë përmes ekspertizës së një profesionisti.
Jeta është gjëja më e çmuar, ndaj i detyrohemi vetes ta sigurojmë atë!