Publikuar më 13.10.2021
Tetori është muaji kushtuar ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e kontrolleve dhe parandalimit, në luftën kundër kancerit të gjirit, ndaj duhet vijuar investimi në informimin e popullatës dhe në kërkime shkencore.
Ky armik i rrezikshëm, kanceri i gjirit, është lloji më i përhapur i tumorit tek femrat, i cili prek rreth 1 në 8 gra dhe vajza. Rreth 50.000 femra sëmuren çdo vit nga kanceri i gjirit. Tetori rozë shërben për të na bërë të reflektojmë mbi rëndësinë e parandalimit dhe kujdesit për veten, veçanërisht duke pasur parasysh se 5-7% e rasteve të kancerit të gjirit janë të trashëgueshme, nga prindi te fëmija. Pothuajse ¼ e këtyre rasteve të tumoreve të gjirit të trashëguara, karakterizohen nga presenza e mutacioneve në gjenet BRCA1 dhe BRCA2.
Disa faktorë të rrezikut të kancerit të gjirit mund të jenë të modifikueshëm, pasi është e mundur të veprohet mbi to në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i zhvillimit të sëmundjes.
Por cilët janë faktorët e rrezikut?
Shumica e faktorëve të rrezikut mbi të cilët është e mundur të ndërhyhet, lidhen me zakonet dhe sjelljet jo të shëndetshme, të tilla si mbipesha dhe obeziteti, të cilat shpesh janë rezultat i një diete të pasur me yndyrë dhe sheqer dhe të ulët në fruta dhe perime, së bashku me konsumin e alkoolit dhe cigares.
Pikërisht për këtë arsye, parandalimi luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të grave, pasi duke filluar nga ndryshimet e vogla në stilin e jetës, është e mundur të shmanget ose zvogëlohet rreziku i kancerit.
Pra, hapi i parë në parandalimin e kancerit të gjirit është mbajtja e një stili të shëndetsëm jetese, ku mund të përmendim ndjekjen e një diete të shëndetshme dhe aktivitetin e rregullt fizik.
Thënë këtë, është thelbësore t’i përmbahemi gjithashtu programeve kombëtare të kontrolleve të mamografisë dhe të caktojmë kontrolle periodike, duke përfshirë:
- Vetë-ekzaminimin
Është mjeti i parë parandalues, pasi është një praktikë që gruaja mund ta kryejë në mënyrë të pavarur për të identifikuar çdo ndryshim në gjinjtë e saj në një fazë të hershme. Sidoqoftë, nuk është një test diagnostikues, prandaj nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë mamografinë ose çdo kontroll tjetër mjekësor.
- Ekzaminimin e gjirit
Ekzaminimi i gjirit bëhet në zyrën e një senologu, pra një specialisti të gjirit ose një mjeku ekspert, duke filluar nga mosha 20 vjeç.
- Ekografinë
Rekomandohet për gratë më të reja si kontroll rutinë, por sidomos në rastet kur mund të shfaqen simptoma ose gjëndra në gji, duhet kryer domosdoshmërisht procedura e ekografisë.
- Mamografinë
Mamografia, e ndjekur çdo 2 vjet pas moshës 50 vjeç, është një nga metodat më efektive për diagnostikimin e hershëm.
- Testet gjenetike
Testet gjenetike mund të jenë shumë të dobishme në zbulimin e pranisë së mutacioneve në gjenet BRCA 1 dhe 2 dhe mund të jenë mjete të dobishme parandaluese për pacientët me historik të kancerit të gjirit në familje.
Situata në Shqipëri
Bazuar në të dhënat e regjistrit kombëtar të kancerit, çdo vit në Shqipëri shfaqen rreth 6000 raste të reja me tumore. Ato shkaktojnë mbi 16% të të gjitha vdekjeve (shkaku i dytë kryesor pas sëmundjeve kardiovaskulare). Çdo vit prej tumoreve humbin jetën mbi 3600 persona. Rreth 10% e vdekjeve nga tumoret janë nën moshën 50 vjeç. Prirja e tumoreve në sistemin shëndetsor shqiptar ka qënë në rritje gjatë dekadave të fundit, kryesisht për arsye të rritjes së moshës mesatare të popullatës, por edhe për shkaqe të tjera të lidhura me stilin e jetesës apo mjedisin. Prirjet në kohë të incidencës për lloje të ndryshme të tumoreve nuk janë të njëjta. Kështu tumori i gjirit dhe tumori kolorektal (zorra e trashë) duket se kanë qënë në rritje.
Ministria e Shëndetësisë, në luftën kundër tumoreve, ndjek Planin Kombëtar kundër Tumoreve 2011-2020, i cili parashikon masat në katër fusha kryesore, të:
- parandalimit primar
- depistimit apo kapjes së hershme
- diagnozës dhe trajtimit
- kujdesit paliativ
Nga gjithë çfarë u përmend më sipër, mund të themi se kontrolli paraprak është çelësi i suksesit ndaj luftës kundër kancerit të gjirit.
Për këtë arsye, SiCRED përmes sigurimit Jetë dhe Shëndet (Cash Plan), ju jep mundësinë për të përfituar kontrollet periodike shëndetësore (check up), ku përfshihen dhe ekzaminimet si mamografia apo eko e gjirit, në varësi të grupmoshës së siguruar.
Referenca:
- Mayo Clinic – mayoclinic.org
- AIRC – airc.it
- INSTAT – instat.gov.al