Të drejtat dhe detyrimet e të siguruarit
Shoqëria e sigurimit SiCRED sh.a. në përmbushje të misionit të saj dhe ligjit 52/2014 neni 66 pika 3/ç; përmbledhtazi prezanton në këtë rubrikë informacion të përgjithshëm “Mbi të drejtat dhe detyrimet e të siguruarit dhe palëve të tjera të interesuara”.
- Kontrata e sigurimit duhet të bëhet me shkresë, me anë të dëshmisë të sigurimit (policës së sigurimit) që siguruesi i lëshon të siguruarit, përndryshe është e pavlefshme.
- Kontrata e sigurimit të personit mund të lidhet për rastin e vërtetimit të ngjarjeve që kanë të bëjnë me jetën dhe aftësinë për punë të të siguruarit. Në kontratën e sigurimit të personit shuma e sigurimit caktohet me marrëveshje të palëve dhe sipas dispozitave të tjera mbi sigurimet.
- I siguruari duhet t’i njoftojë siguruesit, me rastin e lidhjes së kontratës, të gjitha rrethanat për të cilat ka dijeni dhe që kanë rëndësi thelbësore për përcaktimin e natyrës dhe të masës së rrezikut. Quhet se kanë rëndësi thelbësore të gjitha rrethanat për të cilat siguruesi ka pyetur me shkresë të siguruarin. Kontrata e sigurimit e lidhur pa u marrë përgjigja në ndonjë nga këto pyetje, nuk mund të jetë, për këtë shkak, e pavlefshme.
- Kur pas lidhjes së kontratës së sigurimit del se i siguruari duke ditur ka dhënë informata jo të sakta në kërkesën ose në dokumentet e paraqitura prej tij dhe në bazë të të cilave është lidhur kontrata e sigurimit, siguruesi brenda tre muajve nga marrja dijeni ka të drejtë:
- të ndryshojë masën e primit të sigurimit, të shumës së sigurimit ose afatin e sigurimit;
- të zgjidhë kontratën e sigurimit në rast se ka rrethana të tilla, që po t’i dinte siguruesi nuk do të kishte lidhur kontratën. Në këtë rast, primet e sigurimit deri në kohën që kërkohet prishja e kontratës, e në çdo rast primi i sigurimit për t’u paguar në vitin e parë të kontratës, nuk i kthehen të siguruarit. Në qoftë se vërtetohet ngjarja e sigurimit përpara se të fillojë afati i treguar në paragrafin e mësipërm, siguruesi nuk është i detyruar të paguajë shumën e sigurimit. Kur kontrata e sigurimit është lidhur për më shumë se një person ose sende, ajo mbetet e vlefshme për ata persona ose sende, të cilëve nuk u referohen deklarimet e pasakta apo heshtja.
- Dhënia e informatave të pasakta në kërkesën ose në dokumentet e paraqitura, në bazë të të cilave është lidhur kontrata e sigurimit, ose lënia në harresë e informatave kur vërtetohet se nuk janë bërë me dashje ose nga pakujdesia e rëndë, nuk përbën shkak për zgjidhjen e kontratës, por siguruesi mund të heqë dorë nga kontrata, duke e njoftuar të siguruarin me shkrim, brenda 3 muajve nga marrja dijeni e tyre. Në qoftë se ngjarja e sigurimit vërtetohet përpara se pasaktësitë e informatave ose lënia në harresë e tyre, të njihen nga siguruesi, ose përpara se të jetë deklaruar heqja dorë nga kontrata, shuma e detyruar ulet në proporcion me diferencën midis shumës së caktuar në kontratë dhe asaj që do të ishte zbatuar, në se do të njihej gjendja e vërtetë e fakteve.
- Kur kontrata e sigurimit lidhet në emër e për llogari të të tretëve dhe këta janë në dijeni për pasaktësinë e deklarimeve ose të harresave në lidhje me rrezikun (rastin e sigurimit), në favor të siguruesit zbatohen dispozitat e neneve 1118, 1119 të Kodit Civil.
- Kontrata e sigurimit është e pavlefshme, në qoftë se vërtetohet se rreziku i sigurimit nuk ka ekzistuar asnjëherë ose ka pushuar së qeni para përfundimit të kontratës.
- Kontrata e sigurimit është e vlefshme edhe kur sigurohet jeta e një të treti. Caktimi i personit bëhet në kontratën e sigurimit, ose me deklaratë me shkrim të mëvonshme, që i njoftohet iguruesit, ose me testament.
- I siguruari mund të caktojë në kontratën e sigurimit që, në rast se ai vdes, shuma e sigurimit t’i paguhet një anëtari të familjes së tij, një personi tjetër, shtetit, ose një personi tjetër juridik publik.
- I siguruari gjatë kohës që kontrata e sigurimit është në fuqi, ka të drejtë që të zëvendësojë me një tjetër personin që ka caktuar për të marrë shumën e sigurimit. Për këtë i siguruari detyrohet të njoftojë me shkresë siguruesin dhe të paraqesë dëshminë e sigurimit për të bërë në të shënimet e nevojshme.
- Caktimi i personit që përfiton nga sigurimi mund të revokohet nga kontraktuesi në formën dhe mënyrën që përdoret për caktimin e tij. Revokimi nuk mund të bëhet nga trashëgimtarët pas vdekjes së kontraktuesit, pasi të jetë vërtetuar ngjarja e sigurimit e personi ka deklaruar se e dëshiron këtë përfitim. Heqja dorë e kontraktuesit dhe deklarata e përfituesit duhet t’i njoftohen me shkrim siguruesit.
- Caktimi i personit që përfiton nga sigurimi, dhe pse mund të jetë i parevokueshëm, nuk ka efekt kur është rasti i parashikuar në shkronjën “a” të nenit 771 të Kodit Civil.
- Kur në dëshminë e sigurimit nuk është treguar personi që mund të marrë shumën e sigurimit, si dhe kur personi i treguar ka vdekur para të siguruarit, pa u zëvendësuar me një person tjetër, ose kur ai me dashje ka vrarë, ose ka tentuar të vrasë të siguruarin, shuma e sigurimit i paguhet të siguruarit, dhe në qoftë se ky ka vdekur, trashëgimtarëve të tij ligjorë ose me testament.
- Kur për të marrë shumën e sigurimit janë caktuar më shumë persona dhe disa prej tyre kanë vdekur para të siguruarit, ose disa prej tyre me dashje kanë vrarë ose kanë tentuar të vrasin të siguruarin, pjesët që u takojnë këtyre ndahen midis personave të tjerë të caktuar për të marrë shumën e sigurimit në përpjesëtim me pjesën që i është caktuar secilit prej tyre. Në rast se në kontratë nuk përmenden pjesët e personave të caktuar për të marrë shumën e sigurimit, prezumohet se ato janë të barabarta.
- Ndryshimet e profesionit ose të veprimtarisë së të siguruarit kur sjellin pushimin e efekteve të sigurimit, në rast se ato nuk rritin rrezikun në mënyrë të tillë që, në qoftë se kjo gjendje e re do të kishte ekzistuar në kohën e lidhjes së kontratës, siguruesi nuk do ta kishte lidhur atë. Në rast se ndryshimet janë të një natyre të tillë që, gjendja e re edhe po të kishte ekzistuar në kohën e lidhjes së kontratës, siguruesi do ta kishte lidhur kontratën për një çmim më të lartë, pagimi i shumës së sigurimit pakësohet në përpjesëtim me çmimin më të ulët, të caktuar në raport me atë çmim që ka qenë përcaktuar në fillim. Në qoftë se I siguruari njofton për ndryshimet e mësipërme siguruesin, ky, brenda 15 ditëve, duhet të deklarojë nëse do të zgjidhë kontratën apo të pakësojë shumën e sigurimit ose të ngrejë çmimin. I siguruari, brenda 15 ditëve duhet të deklarojë nëse pranon ndryshimet e sipërme në kontratë. Në qoftë se i siguruari deklaron se nuk I pranon ato, kontrata gjidhet.
- Shuma e sigurimit, që pas vdekjes së të siguruarit është caktuar t’i paguhet personit në dobinë e të cilit është lidhur kontrata e sigurimit, nuk përfshihet në pasurinë trashëgimore të të siguruarit.
- Shumat e sigurimit që rrjedhin nga kontratat e sigurimit të personit, paguhen pavarësisht nga shumat që mund të paguhen nga sigurimet shoqërore.
- I siguruari detyrohet t’i paguajë siguruesit primin e sigurimit në afatet e caktuara në kontratë. Në qoftë se primi ose kësti i parë i tij nuk paguhet në afat, sigurimi pezullohet deri në orën 24.00 të ditës që kontraktuesi paguan shumën që detyrohet.
- Kur I siguruari nuk paguan primet në vazhdim, sipas afateve të caktuara, sigurimi pezullohet nga ora 24.00 e ditës së pesëmbëdhjetë pas mbarimit të afatit të pagimit dhe siguruesi ka të drejtë të kërkojë zgjidhjen e kontratës.
- Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari detyrohet të njoftojë siguruesin brenda afatit të parashikuar në kontratë. Në qoftë se i siguruari nuk bën këtë njoftim, siguruesi ka të drejtë të mos paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.
- I siguruari ose personi i tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata e sigurimit, detyrohet të provojë se ka ndodhur ngjarja e sigurimit, si dhe t’i njoftojë siguruesit, sipas kërkesës së këtij, të gjitha informatat që janë në dijeni të tij dhe që kanë lidhje me ngjarjen e sigurimit. Në rastin e sigurimit të personit, kur vërtetohet humbja e aftësisë për punë, bëhet edhe ekspertimi mjekësor. Kur nuk përmbushen detyrimet e sipërme, siguruesi ka të drejtë të mos paguajë shpërblimin e sigurimit ose shumën e sigurimit.
- Shpërblimi i sigurimit ose shuma e sigurimit që duhet t’i paguhet jo të siguruarit, por personit të tretë, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, nuk mund të sekuestrohet për borxhet e të siguruarit. Siguruesi ka të drejtë të ndalojë nga shpërblimi i sigurimit ose nga shuma e sigurimit atë që ka për të marrë i siguruari nga e njëjta kontratë e sigurimit (primin etj.)
- Siguruesi mund t’i kundrejtojë personit, në dobinë e të cilit është lidhur kontrata, të gjitha prapësimet që ai mund t’i kundrejtojë të siguruarit nga e njëjta kontratë sigurimi.
- Kur një person lidh një kontratë sigurimi në emër të një tjetri, pa pasur një tagër të tillë prej tij, ky i fundit mund të pranojë kontratën e lidhur edhe pas vërtetimit të ngjarjes së sigurimit. Personi që ka lidhur kontratën është i detyruar të zbatojë vetë detyrimet që rrjedhin nga kontrata, deri në momentin kur siguruesi ka marrë njoftim për pranimin ose jo të saj, nga personi në emër të të cilit është lidhur kontrata. Çmimi i sigurimit i paguhet siguruesit nga kontraktuesi i mësipërm, për të gjithë periudhën deri në momentin kur siguruesi ka marrë dijeni për mospranimin e kontratës.
- Siguruesi nuk është përgjegjës kur vdekja ose humbja e aftësisë për punë të të siguruarit, janë shkaktuar drejt për drejt nga veprime lufte, përveç kur në kontratën e sigurimit është parashikuar ndryshe.
- Kur për të njëjtin rrezik sigurimi janë lidhur veçmas disa kontrata sigurimi në sigurues të ndryshëm, I siguruari duhet të njoftojë secilin sigurues, për të gjitha sigurimet. Kur i siguruari me qëllim nuk jep njoftimin e sipërm, siguruesit nuk janë të detyruar të paguajnë shpërblimin e dëmit. Kur vërtetohet ngjarja e sigurimit, i siguruari duhet të njoftojë të gjithë siguruesit, duke i treguar secilit emërtimin e të tjerëve sigurues. I siguruari ka të drejtë të kërkojë nga secili sigurues shlyerjen e dëmit të detyruar sipas
- kontratës, por gjithsesi shumat e shlyera së bashku nuk duhet të kalojnë shumën e dëmit.
- Siguruesi që ka paguar shumën e dëmit ka të drejtën e regresit ndaj siguruesve të tjerë për ndarjen e shumës së detyruar sipas kontratave përkatëse.
- Kur humbet dëshmia e sigurimit, siguruesi, me kërkesën dhe shpenzimet e të siguruarit, duhet të lëshojë një dublikatë të saj