b

Category: BLOG

Sigurimi i jetës dhe pandemia

Sigurimi i jetës dhe pandemia

Rëndësia e të qenit të siguruar

Nga: Greta Sejdinaj
Publikuar: 22.02.2021

Pandemia është një fenomen i çuditshëm. Në dukje na detyron të qëndrojmë larg njëri-tjetrit, por në të vërtetë jemi shumë më pranë, në fatin e përbashkët, në vështirësitë që përballojmë, në dashurinë që japim dhe marrim dhe në ndihmën që ofrojmë ndaj personave më në nevojë.

Thuhet se pandemitë e gripit ndodhin njëherë në 100 vjet, e megjithatë duket sikur njerëzimi nuk është asnjëherë mjaftueshëm i përgatitur për të përballuar këto ngjarje madhore. Gjendemi të pa përgatitur ekonomikisht, të pa përgatitur nga ana strategjike, në kapacitete mjekësore etj.

Ndonëse, ditët e vështira të një pandemie janë pikërisht ato, për të cilat, në heshtje, përgatiten shoqëritë e sigurimit të jetës. Investimi në menaxhimin e riskut dhe në parapërgatitjen për përballjen me një pandemi është thelbësor për të zbutur vështirësitë e vijimësisë së biznesit dhe humbjet e pritshme gjatë pandemisë.

Me kalimin e muajve, gjithnjë e më tepër hyjmë në zemër të pandemisë! Familjarë e kolegë të prekur nga virusi, të njohur që ndërrojnë jetë dhe gjendemi tërësisht të papërgatitur emocionalisht, por edhe ekonomikisht për të përballuar humbje të tilla.

Kredi të sapofilluara, fëmijë që duhet të arsimohen, familje me të ardhura të pamjaftueshme për të mbuluar faturat e kripura të klinikave dhe spitaleve për trajtimin e sëmundjes apo për kontrollet e nevojshme, për medikamentet… dhe lista vazhdon.

E këtu i rikthehemi temës së shumë-diskutuar, rëndësisë së sigurimit, edukimit të publikut mbi këtë çështje, e më konkretisht sot, rëndësisë së sigurimit të jetës e shëndetit. E kemi thënë tashmë, deri në lodhje: jeta është e pasigurt! Çdo të mirë që kemi sot në mëngjes, mund ta humbasim papritur në mbrëmje. Këtë realitet e kemi kuptuar brenda pak muajsh, duke filluar me tërmetin e nëntorit të 2019-ës dhe po vijojmë ta prekim ditë pas dite me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19.

Nëse nuk është ky momenti i duhur për t’u siguruar, për t’u kujdesur për të ardhmen e fëmijëve, për shëndetin e prindërve, për vijimësinë e një biznesi, atëherë cili është ai moment?

Në çdo kohë do të ketë skeptikë, që do të thonë: “Kompanitë e sigurimit nuk paguajnë!”. E megjithatë, në kulmin e një pandemie, në qendër të një pasigurie, ndër të tjera, ekonomike, shoqëria SiCRED sh.a. ka ofruar mbulim të shpenzimeve mjekësore për çdo pacient të diagnostikuar me COVID-19 dhe dëmshpërblim për të siguruarit që janë ndarë nga jeta përpara kohe për shkak të virusit.

Humbja e jetës nga COVID-19, si dhe trajtimi i sëmundjes nuk bëjnë pjesë në përjashtimet nga kontratat e sigurimit të SiCRED. Ndërkohë, duhet konsideruar fakti, që, si shoqëri sigurimi jete, SiCRED është, po ashtu, pjesë e mjedisit ku jetojmë, e cenueshme nga vështirësitë ekonomike të kësaj krize dhe me një staf, i cili i duhet adaptuar rregullave të reja të punës dhe shëndeti i të cilit duhet ruajtur, si i çdo qytetari tjetër.

Nën rrethanat e COVID-19, stafi i shoqërisë SiCRED, ka qenë ndër të paktët midis shoqërive të sigurimit të jetës, por edhe ndër sektorë të tjerë të ekonomisë, që ka vijuar punën rregullisht, duke iu përgjigjur, me kujdes të veçantë, nevojave të shtuara të klientëve, në këto ditë pothuajse surreale.

Duke shpresuar se masat e ndërmarra për të menaxhuar përhapjen e virusit të jenë efektive, si dhe pas aplikimit të vaksinës, efektet e saj të jenë të qëndrueshme, e në këtë mënyrë të gjithë t’i rikthehemi dalë-ngadalë jetës normale pa kushtëzime, le të na mbetet ndërkohë ndonjë mësim nga çka jetuam. Jeta dhe të dashurit tanë qenkan vërtetë gjëja më e shtrenjtë, përmbi çdo pasuri, pushtet apo ego personale. Le të kujdesemi atëherë për ta, me çdo mjet që kemi.

Related Posts