Në kuadër të eventit të 7-të “Rrathë Dhurues Shqipëri”, të organizuar nga Partners Albania, SiCRED u bë pjesë e një tjetër nisme frymëzuese që sjell në vëmendje zërat e atyre që shpesh mbeten në heshtje, personat me aftësi ndryshe.
Në qytetin e Matit, mbi 800 persona me aftësi ndryshe përballen çdo ditë me sfida që shpesh kalojnë pa u vënë re. Për t’i dhënë zë dhe hapësirë këtyre historive, Fondacioni “Së Bashku” ka ideuar projektin “Bankina që dëgjon”, një ndërhyrje unike në hapësirat publike të qytetit.
Kjo nismë kthen bankinat e zakonshme në vende që flasin, përmes kodeve QR të vendosura në to, ku qytetarët mund të dëgjojnë histori reale të personave me aftësi ndryshe — rrëfime që frymëzojnë, sensibilizojnë dhe ndërtojnë ura mirëkuptimi në komunitet.
Përmes kombinimit të teknologjisë me mobilimin urban, “Bankina që dëgjon” shndërrohet në një mjet të fuqishëm edukimi dhe ndërgjegjësimi për aksesueshmërinë dhe përfshirjen shoqërore. Është hapësira e parë e këtij lloji në Shqipëri, që bashkon dizajnin urban me rrëfimin e historive njerëzore, duke e kthyer qytetin në një vend më të hapur dhe gjithëpërfshirës.
Mbështetja e SiCRED për këtë nismë është shprehje e përkushtimit të kompanisë për solidaritet, dinjitet njerëzor dhe përfshirje sociale, duke qëndruar pranë iniciativave që i japin zë dhe mundësi çdo individi në komunitet.



