b

Category: BLOG

Si të raportoj dëmin tim pranë SiCRED?

Si të raportoj dëmin tim pranë SiCRED?

Nga: Elona Fetollari
Publikuar: 03.02.2021
Me nënshkrimin e  kontratës së sigurimit, të siguruarit i lind e drejta për të përfituar nga kjo kontratë dhe për të reklamuar ndaj siguruesit çdo dëm që mund t’i shkaktohet gjatë periudhës së sigurimit, në përputhje më termat e Kontratës së Sigurimit. Ndodh shpesh që të siguruarit kanë vështirësi në mbledhjen e dokumentacionit sipas kërkesave të Shoqërisë së Sigurimit apo në mënyrën e raportimit të dëmit të tyre, duke shkaktuar vonesa në shqyrtim apo mos mbulim të të gjitha shpenzimeve mjekësore të kryera nga të siguruarit.

Në vijim do të ofrojmë disa këshilla për të siguruarit në mbledhjen e dokumentacionit:

  1. Lexoni termat e kontratës së sigurimit

I siguruari para paraqitjes së kërkesës së tij për rimbursim, duhet të lexojë termat e kontratës së sigurimit lidhur me përfitimet që rrjedhin prej saj apo rastet kur parashikohet përjashtim mbi mbulimin e shpenzimeve mjekësore të kryera.

  1. Konsultohuni fillimisht me mjekun e familjes apo mjekun patolog

I siguruari duhet të paraqitet pranë mjekut të familjes apo mjekut patolog për të kryer kontrollin e parë mbi ankesat dhe shqetësimet shëndetësore të konstatuara dhe në vijim të pajisjet me rekomandimin e mjekut, për të vijuar me ekzaminime të tjera më specifike apo trajtim mjekësor me medikamente, të cilat do të duhet të paraqiten pranë shoqërisë së sigurimit.

  1. Ruani çdo dokument mjekësor që lidhet me trajtimin që po kryeni

I siguruari duhet të mbledhë dhe administrojë me kujdes çdo dokumentacion mjekësor për analiza apo ekzaminime të kryera lidhur me gjendjen e tij shëndetësore, kartela klinike apo receta mjekësore dhënë nga mjeku specialist.

  1. Ruani çdo faturë që lidhet me trajtimin që po kryeni

I siguruari duhet të administrojë me kujdes faturat dhe kuponët tatimorë me të cilat është pajisur nga subjekti spitalor apo farmacia dhe me të cilat provon shpenzimin e kryer në përputhje me rekomandimet apo recetat mjekësore.

  1. Raportoni dëmin online

Do të ishte e udhës që i siguruari të konsultohej me faqen web të shoqërisë së sigurimit mbi mënyrën e raportimit online të dëmit, në rast se shoqëria ka një platformë të tillë. I siguruari duhet të plotësojë online formularët dixhitalë për rimbursim, ose të printojë formularët e miratuar nga shoqëria e sigurimit, të publikuar në faqen web të saj dhe t’i depozitojë personalisht pranë shoqërisë së sigurimit, bashkë me të gjithë dokumentacionin përkatës.

I gjithë dokumentacioni i mbledhur dhe administruar duhet të dorëzohet në origjinal pranë shoqërisë së sigurimit.

Si të raportoj dëmin tim pranë SiCRED?

Raportimi i dëmit pranë Shoqërisë së Sigurimit SiCRED sh.a. mund të kryhet në dy mënyra:

  1. Nëpërmjet platformës online “Raporto Dëmin”, në faqen web të Shoqërisë.

Platforma ju jep mundësinë të raportoni dëmin për produktet Jetë dhe Shëndet në Udhëtim, Jetë dhe Aksidente, Jetë dhe Shëndet Studenti dhe Jetë dhe Shëndet Cash Plan.

Raportimi i Dëmit online për produktet e sipërpërmendura ka rëndësi për të respektuar afatet e njoftimit që kontrata ka të përcaktuar në të, duke dhënë një informacion të përgjithshëm lidhur me ngjarjen e sigurimit, datën e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit, trajtimin mjekësor të rekomanduar apo që po kryhet aktualisht në momentin e raportimit të dëmit, si dhe subjektin spitalor ku është duke u marrë shërbimi mjekësor.

Raportimi online i dëmit duhet të pasurohet më tej me depozitimin pranë SiCRED të dokumentacionit vijues:

a) Kërkesë për Rimbursim/Deklaratë mbi rrethanat e ngjarjes;
b) Dokumentacion mjekësor lidhur me shërbimin dhe trajtimin e përfituar, rekomandim mjeku, raporte mjekësore, rezultate analizash dhe ekzaminimesh, receta mjekësore etj.;
c) Faturë tatimore shitje mbi shpenzimin e kryer shoqëruar me Kuponin Tatimor përkatës;
d) Çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm, të kërkuar për rastin;

Seti me dokumentacionin e sipërpërmendur përcillet në origjinal pranë zyrave të SiCRED sh.a.

2. Nëpërmjet paraqitjes personalisht pranë Zyrave Qendrore të SiCRED ose komunikimit me telefon/e-mail me personat e kontaktit, trajtues të dëmeve.

I siguruari mund të paraqitet personalisht pranë Zyrave Qendrore të SiCRED për dorëzimin e dokumentacionit në origjinal, ku plotëson formularët e miratuar për rimbursim të shpenzimeve mjekësore dhe pajiset me informacionin mbi trajtimin e rastit të dëmit.

Rasti i dëmit shqyrtohet brenda 15 ditëve nga përcjellja e dokumentacionit përfundimtar të kërkuar në origjinal, por mund të zgjatet në varësi të situatave të prezantuara gjatë shqyrtimit të tij.

Në përfundim të shqyrtimit të rastit, i siguruari njoftohet me e-mail apo përgjigje zyrtare mbi vendimmarrjen e shoqërisë, përkatësisht nëpërmjet përcjelljes së konfermës bankare në rast njohje të dëmit apo përgjigje të argumentuar në rast refuzimi të tij.

Related Posts