Nga Evelina Koçi
Publikuar më 28.10.2022
Si të kursejmë duke u siguruar?
Në një moment të caktuar të jetës, për arsye të diktuara nga ardhja e fëmijëve në jetë apo martesa, nga ideja për të bërë një investim të rëndësishëm apo thjesht nga kalimi i viteve të jetës, ne fillojmë ta shikojmë të ardhmen në prizmin e sigurisë dhe stabilitetit. Është normale dhe është gjithashtu e drejtë që kësaj nevoje të natyrshme për siguri t’i përgjigjemi me një veprim konkret, i cili mund të lehtësojë jetën tonë dhe të atyre që na rrethojnë.
Mbrojtja financiare është një domosdoshmëri për çdo individ dhe vetëm plani i kursimeve nuk mund të përballojë barrën e situatave të papritura, që mund të shfaqen gjatë jetës. Të qenit i qëndrueshëm financiarisht në çdo fazë të jetës ofron paqe mendore dhe ju lejon të përqëndroheni në aspekte të tjera të rëndësishme të jetës. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se planet e sigurimit të jetës duhet të jenë pjesë e strategjisë suaj të kursimeve.
Pesë arsye pse planet e sigurimit të jetës shërbejnë për të krijuar një strategji më të mirë kursimi:
- Kursime të rregullta
Sigurimi i jetës me elementë kursimi apo investimi është një alternativë e mirë për të siguruar kursime të rregullta. Pagesa e primeve në intervale fikse ju ndihmon të qëndroni të përkushtuar ndaj planit tuaj të kursimeve. Vlerën e kursimit e vendosni vetë ju, sipas nevojës dhe buxhetit tuaj.
- Mbështetje për paaftësinë
Nëse gjatë kohëzgjatjes së policës, i siguruari përballet me një situatë fatkeqësie, e cila e çon në paaftësi të plotë ose të pjesshme, kompania e sigurimit do të paguajë një dëmshpërblim për individin përgjatë periudhës së përcaktuar në kontratë, duke ulur kështu barrën e shpenzimeve dhe mungesën e të ardhurave deri në një rekuperim të personit.
- Pension të rehatshëm
Planet e sigurimit të jetës ofrojnë dhe mundësi që në momentin e daljes në pension ju të keni të ardhura të mjaftueshme për të shijuar në rehati dhe qetësi kohën tuaj të pensionit. Në rast se ju ndërroni jete dhe nuk e keni tërhequr të gjithë shumën e akumuluar për pension, shuma e mbetur i kalon trashëgimi familjarëve apo përfituesve të tjerë të caktuar nga ju.
- Arritje të qëllimeve afatgjata
Njësoj si me kursimet për periudhën e pensionit, planet e sigurimit me elementë investimi shërbejnë për të arritur të tjera qëllime afatgjata, kjo në varësi të kohës kur hyn në sigurim dhe kohëzgjatjes së sigurimit. Qëllimet mund të jenë të tilla si: edukimi i fëmijëve, blerja e një shtëpie, nisja e një biznesi etj.
- Të ardhura për familjen… edhe kur nuk jeni më pranë tyre
Planet e sigurimit të jetës ofrojnë të ardhura të sigurta për familjen, në rast se ndërroni jetë pa i plotësuar qëllime tuaja financiare afatgjata. Kështu, sido që të vijë jeta, nëpërmjet policës së sigurimit, do të keni siguri për të ardhmen, që fëmijët tuaj do të studiojnë në shkollën që ëndërroni për ta, apo do të kenë mundësi të jetojnë në shtëpinë që keni dashur gjithmonë për ta. Në këtë mënyrë, do të vijoni të ndihmoni familjen tuaj, edhe kur të mos jeni më pranë tyre.
Na kontaktoni për të mësuar më tepër mbi këto plane sigurimi dhe për të kuptuar cili është më i përshtatshëm për ju, stilin tuaj të jetesës dhe qëllimet tuaja afatgjata.