Çfarë duhet të dimë për diabetin
Punoi: Kristi Topi
Publikuar më: 14.11.2023
Diabeti është një grup i çrregullimeve endokrine të karakterizuara nga një ngritje e qëndrueshme e niveleve të glukozës/sheqerit në gjak. Të gjitha ushqimet me karbohidrate zbërthehen pas ngrënies në trupin tonë në glukozë. Glukoza është burimi kryesor i energjisë për trupin. Insulina, një hormon i prodhuar nga qelizat beta në pankreas, lehtëson lëvizjen e glukozës nga gjaku në qeliza kështu që mund të përdoret nga trupi. Diabeti është një sëmundje kronike që ndodh ose sepse trupi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme, ose sepse qelizat nuk i përgjigjen insulinës që prodhohet (rezistenca ndaj insulinës). Hiperglicemia, ose ngritja e sheqerit në gjak, është një efekt i zakonshëm i diabetit të pakontrolluar dhe me kalimin e kohës shkakton dëme serioze në shumë sisteme të trupit, veçanërisht në nervat dhe enët e gjakut. Diabeti mund të dëmtojë gjithashtu zemrën, sytë, këmbët dhe veshkat. Në veçanti individët me Diabet Tip 2 të pa diagnostikuar janë në rrezik më të lartë për insult cerebral, sëmundje koronare të zemrës dhe sëmundje periferike vaskulare, sesa njerëzit pa diabet në popullatë.
Faktorët e rrezikut për diabet tipi 2
- Mosha ≥ 45vjeç
- Mbipeshë (BMI ≥ 25kg/m2)
- Histori familjare të diabetit (prindërit, motrat/vëllezërit)
- Mungesë e aktivitetit fizik
- Prani e Diabetit Gestacional apo lindje e bebit me peshë ≥ 4 kg.
- Hipertension arterial (TA ≥ 140/80 mmHg).
- HDL kolesteroli ≤ 35mg/dl (0.9mmol/l) dhe niveli i triglicerideve ≥ 250mg/dl (2.82mmol/l ).
- Histori për sëmundje vaskulare
PARANDALIMI
Diabeti është një sëmundje e cila zgjat gjithë jetën. Një kontroll jo i rregullt i sheqerit në gjak mund të shkaktojë dëmtime serioze në organizëm. Ndërsa një kontroll rutinë i sheqerit në gjak mund të vonojë, madje edhe të parandalojë komplikacionet e diabetit.
Menaxhimi i diabetit kërkon trajtim ditor, monitorim të rregullt, një mënyrë jetese të shëndoshë dhe edukim të vazhdueshëm. Kontrolli i rregullt i niveleve të glukozës në gjak është veçanërisht i rëndësishëm tek njerëzit e moshuar, sepse diabeti është shumë i zakonshëm në jetën e mëvonshme. Është e rëndësishme që të bëhen teste depistimi tek personat në rrezik të diabetit të tipit 2, përfshirë ata që:
- Janë mbi 45 vjeç
- Kanë prediabet
- Janë mbipeshë ose obezë
- Kanë një mënyrë jetese sedentare
- Kanë presion të lartë të gjakut dhe/ose çrregullime të lipideve si kolesteroli i lartë
- Kanë sëmundje kardiovaskulare
- Kanë një histori familjare të diabetit
- Kanë pasur diabet gjatë shtatzënisë ose kanë pasur një fëmijë që peshonte më shumë se 4 kg në lindje
- Kanë çrregullime të vezores policistike
Paketat e sigurimit të jetës dhe shëndetit nga SiCRED kanë të përfshirë kontrollin vjetor parandalues, i cili shërben pikërisht për të zbuluar gjendje të ndryshme shëndetësore, me synimin për t’i kapur në fazat e para. Nëse pas kontrollit rutinë rezultatet kërkojnë kontrolle të tjera të thelluara, SiCRED mbulon kryerjen e shërbimeve të tjera mjekësore, deri te medikamentet e nevojshme kuruese.
Për më tepër informacion mbi paketat e sigurimit, që përfshijnë kontrollet parandaluese, na kontaktoni në +355 692084026 | email: [email protected].