b

Category: BLOG

“Jetë me Kursim” për të planifikuar të ardhmen financiare të punonjësve

“Jetë me Kursim” për të planifikuar të ardhmen financiare të punonjësve

Punoi: Jona Dervishi
Publikuar më 09.08.2023

 

Për shkak të marketingut, informacionit të paplotë apo dhe mungesës së një edukimi të shëndoshë financiar, shpesh herë individët nuk arrijnë të optimizojnë kursimet e tyre dhe përfundojnë duke marrë rreziqe dhe shqetësime shtesë financiare, gjë që e mposht qëllimin e të pasurit një mbrojtje financiare dhe një plan optimal kursimi. Format e kursimit dhe të investimit, që ofron tregu shqiptar, janë ende të kufizuara po t’i krahasojmë ato me çfarë ofrohet në vendet e Europës perëndimore apo edhe përtej. E megjithatë, në kushtet dhe frymën e re financiare që po fryn në Shqipëri, ka forma të ndryshme që individët e punësuar, të mund të kursejnë periodikisht dhe me nivel risku të ulët apo të moderuar, siç janë depozitat klasike bankare me afat apo dhe fondet e investimit dhe ato të pensionit privat të licencuara nga AMF.

Depozitat bankare mbeten instrumenti kryesor i investimit për popullsinë shqiptare, duke dominuar kursimet e shqiptarëve me rreth 95%1. Ky është një tregues, që alternativat e tjera të kursimit, mbeten ende të pashfrytëzuara.

Një formë kursimi e investimi, më pak e njohur, janë planet afatgjata të sigurimit të jetës të ofruara nga shoqëritë e sigurimit të jetës. Në krahasim me depozitat, apo fondet e investimit të pensionit privat, këto planë bazohen në një nevojë tjetër bazë që ka njeriu, përveç kursimit. Kjo është nevoja e individit për të patur një mbrojtje financiare për familjen e tij në rast të ndarjes së papritur nga jeta përpara se ky individ të ketë përmbushur qëllimet e tij financiare.

Në SiCRED, ne kemi krijuar produkte që ofrojnë skema profesionale të sigurimit të jetës dhe të kursimeve të punonjësve, siç është produkti Jeta me Kursim. Si një plan profesional afatgjatë, i financuar nga punëdhënësi për punonjësit e tij, ky produkt është një motivim për punonjësin, që ky i fundit të jetë sa më gjatë pjesë e kompanisë ku punon, në mënyrë që të arrijë dhe të përfitojë fondin që akumulohet për të gjatë periudhës së kontratës së sigurimit. Nga ana tjetër punëdhënësi do të fitojë një mjet përforcues në përmbushjen e qëllimeve të tij për të mbajtur punonjësin për një kohë të gjatë në kompani. Gjithashtu, kjo skemë ofron lehtësira fiskale për punëdhënësin, duke qenë se kontributi, që punëdhënësi jep për punonjësin e tij në skemën e sigurimit Jetë me Kursim, është një shpenzim i zbritshëm fiskal, për efekt të llogaritjes së tatim fitimit të kompanisë. Në këtë mënyrë, punëdhënësi ngre një skemë kursimi për punonjësit, e cila ofron avantazh për të dy palët, krahasuar me forma të tjera të shpërblimit të punonjësve.

E parë nga këndvështrimi i punonjësit, sigurimi i jetës i kombinuar me elementet e kursimit është një mundësi e mirë për çdo person që dëshiron të ketë një mbështetje financiare përpos dhe sigurimit të jetës. Duke përdorur këtë produkt, punonjësi ka ndërtuar një bazë të fortë ekonomike, për të realizuar ëndrrat e tij dhe pse jo, për të siguruar edhe një pension të këndshëm. Skema e Sigurimit të Jetës me Kursim, e përmbush edhe këtë qëllim, duke qenë se polica e sigurimit mund të lëshohet për një afat deri sa i siguruari/punonjësi të mbushë 65 vjeç.

Në njëfarë mënyre, është përgjegjësi edhe e punëdhënësve që të inkurajojnë dhe të nxisin punonjësit e tyre, për t’u anëtarësuar në skema kursimi afatgjata. Ndaj, punëdhënësit në vendin tonë duhet të jenë largpamës, e të përfshijë në skemën e shpërblimit të punonjësve, alternativa të ndryshme kursimi e investimi afatgjatë për punonjësit, që t’i ndihmojë ata të planifikojnë më së miri të ardhmen e tyre financiare.

Pensioni është një nga temat më të nxehta të ekonomisë shqiptare. Me kalimin e kohës, Shqipëria po përjeton një proces tkurrjeje dhe plakjeje të popullsisë, duke sjellë sfida të mëdha sociale dhe ekonomike. Në këtë kontekst, pensionet shfaqen si një prej sfidave kryesore për vendin në aspektin afatgjatë. Aktualisht, numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa 4.2% e atyre që paguajnë kontribute në skemën e detyrueshme shtetërore dhe afërsisht sa 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve (bazuar në Anketën e Forcave të Punës). Ligji i ri i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pensioneve private, e ka për qëllim të bëjë investimet në pensionin privat më tërheqëse. Në këtë ligj është propozuar rritja e kufirit të përjashtimit nga taksa, për të dy kontributet e punëmarrësve dhe ato të punëdhënësve. Gjithashtu, kërkohet që pensionet, në kohën e tërheqjes periodike të tyre në moshën e pensionit, të mos tatohen për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin që vjen nga investimi.

Në sigurimin e Jetës me Kursim si plan afatgjatë investimi, në momentin e maturimit të policës, duke qenë se kontributet nuk janë tatuar në fillim, tatohen në maturim bashkë më interesat e përftuara. Fondi në maturim është një fond i gatshëm për t’iu përshtatur çdo lloj nevoje financiare që ka punonjësi që e përfiton atë, pavarësisht moshës e rrethanave të tjera që ka.

Pensionet private në Shqipëri ofrohen vetëm në monedhën Lekë. Ndërkaq, skema e Sigurimit të Jetës me Kursim ofrohet në monedhën EUR, duke qenë një nga format e pakta të investimeve periodike në monedhën EUR. Kjo shihet me mjaft interes nga kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri, për punonjësit e huaj apo edhe për punonjësit shqiptar, të cilët duan të kenë një fond në monedhë të huaj për të përmbushur çfarëdo qëllimi të tyre në të ardhmen.

Në skemën e Sigurimit të Jetës me Kursim, një pjesë e kontributit që paguhet shkon drejt kursimit, ndërsa pjesa tjetër shërben për sigurimin e jetës së punonjësit. Kjo strukturë e kontributit ofron përfitime të dyfishta për klientët.

Sipas kushteve të kontratës së sigurimit, kemi dy ngjarje sigurimi të produktit Jetë me Kursim ku ofrohet përfitim:

– Mbijetesa e personit të siguruar e cila është shuma e parave që i paguhet të siguruarit në datën e maturimit të caktuar në kontratën e sigurimit (shihet gjithashtu si një mënyrë investimi afatgjatë, që zgjat deri në maturimin e tij dhe mund të konsiderohet si një instrument investimi i dobishëm për të planifikuar pensionin tuaj, në rast se skema e ngritur nga punëdhënësi financohet deri në moshën pranë pensionit). Në maturim individi përfiton të gjithë fondin e akumuluar të investuar.

– Vdekja e të Siguruarit, për shkaqe natyrore apo aksidentale, gjatë periudhës së sigurimit. Në rast se punonjësi ndërron jetë gjatë periudhës së kontratës, familja e tij përfiton shumën e siguruar të jetës të shënuar në policën e sigurimit, plus fondin e akumuluar deri në atë moment.

Kjo lloj kontrate sigurimi është e hapur për individët në grupmoshën 18 deri në 55 vjeç, të cilët janë në marrëdhënie punësimi me punëdhënësin, i cili financon skemën e sigurimit. “Jeta me Kursim” ofron shumë fleksibilitet në zgjedhjen e vlerës së shumës së sigurimit të jetës dhe masën e kontributit për çdo person. Ju mund të përshtatni planin tuaj sipas nevojave tuaja financiare dhe të zgjidhni një nivel primesh që ju përshtatet më mirë.

Përmes Sigurimit të “Jetës me Kursim” nga SiCRED, ju si punëdhënës ofroni një produkt të avancuar dhe të mirështruar, duke i dhënë përparësi mirëqenies dhe qëllimeve financiare tuajat dhe atyre të punonjësve.

Për informacion më të detajuar dhe për të kuptuar cila është paketa më e përshtatshme për nevojat e biznesit dhe stafit tuaj, na kontaktoni në: cel: +355 692084026 | email: contact@sicred.com.al

Referencat

1. Të dhënat janë marrë nga faqja zyrtare e BSH. Seritë Kohore (depozitat) për periudhën Janar – Maj 2023.
2. Ligj nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”

Related Posts